VËSHTRIM, MBI ARTIN POETIK TË ALMA PAPAMIHALIT
„Të bëhemi të qelqtë dhe mos kemi frikë nga thyerja“ (Alma Papamihali)

Nga Thani Naqo
 
Poetja Alma Papamihali është shfaqur para lexuesit me artin e saj poetik, duke publikuar librin parë në vitin 2007, titulluar "NËN TINGUJT E NATËS". Ajo ka botuar edhe mjaft cikle me poezi nëpër faqe internetike, poezi të saj jane përkthyer në gjuhën franceze dhe atë rumune, duke u përballur kështu me poetë bashkëkohës të saj.
 
Një konceptim më të plotë si lexues mbi krijimtarinë e  Alma Papamihalit e krijova kur më ra në dorë libri i dytë me poezi "SHTEGËTIM PULËBARDHE", botuar nga Toena në vitin 2009. Pas leximit të poezive të bie në sy, specifika e artit poetik të Alma Papamihalit, të cilën e dallon pikërisht në këndvështrimin individual të një bote gati të padukshme, mbasi ajo di të qëmtojë me zgjuarësi ndjenja dhe detajet që përcjellin jetën e brishtë të femrës. Kjo është specifika që karakterizon individualitetin e saj krijues, duke mos përdorur pasthirma dhe hymne, as renditje mekanike detajesh, por përcjellje me art të përzgjedhjeve të ndjenjave të holla, të cilat janë shkruar me ngrohtësi.
 
Pasi lexon poezitë e Alma Papamihalit, dallon një tjetër specifikë. Ajo ndjenjë letrare plotësuese që egziston në ndërlidhjen e botës që ajo eksploron, duke krijuar tek lexuesi, ngopjen ndjesore që formohet nga tërësia e librit. Gjithashtu dallon se çdo poezi, pavarësisht nga çasti i ndryshëm poetik, plotësojn njëra-tjetrën, duke dhënë të plotë imazhet e një jete të besueshme, ndërthurur me fije të holla ndjenjash, shpesh herë edhe detajesh e mataforash, të cilat Alma i gjurmon nga bota e brendshme e trishtimit, por edhe nga ndjesi të gëzueshme. Nga ky raport poetik, krijon përshtypjen se poetja nuk harron t'i këndojë shpresës për të nesërmen dhe  çastit të gëzueshëm.
Kjo është dhe një nga detyrat themelore dhe qëllimi i artit, të përmirësojë jetën e njeriut, sidomos poezia, pasi „JETA, SADO E VËSHTIRË, ËSHTË EDHE E BUKUR“, të dish të zbulosh, se qënia humane është tërësi trishtimi dhe gëzimi, humbje e fitore, që nga detaji në fushën e betejës dhe deri tek jeta intime personale dhe ajo në çift.
Kjo është tematika jetësore aq e komplikuar në përzgjedhjen e krijuesit. 
 
Poetja Alma Papamihali ka ditur çfarë të trajtojë me artin e saj poetik. Tradicionalisht, lexuesi i kualifikuar kërkon qëmtimin nëpër vargje të mataforave poetike, mirpo specifika e kësaj poeteje, është se ajo ndërrrthur poezinë në mënyrë të tillë, që në përfundim të saj, tërësia formon poezinë metaforike, duke dhënë të plotë imazhin përcjellës. 
 „Sa rrugë të tilla ka në botë/ që të pa fjala kanë ngelur?...“-  thotë ajo në poezinë „RRUGË QË SHKELEN“, ose, këndvështrimi i saj individual për lulen, është krejt i natyrshëm, natyrshmëri që rrjedh nga karakteri individual dhëmbësor i femrës, ku ajo pohon „Kujdes, kur hapat hedh/ nuk flet, por s'duhet/ shkelur...“  
…dhe simbolizmi në artin poetik titullon LULEN, por për lexuesin është simbolizëm universal, pasi lule është edhe vajza, është edhe ndjenja e ngrohtë, natyra në përgjithësi dhe pafajshmëria, etj
 Në një esse dikur jam shprehur se, në formimin e karakterit krijues, ndikojnë shumë faktorë, psiko-analitikë, tradicionalë, ekonomikë, natyrorë dhe, në kushte e rrethana jetësore. Ato lënë gjurmë në "dërrasën e dyllit" të kujtesës tonë, por janë edhe të pandashme nga tingujt ritmikë që ka thëthirë veshi.
Kam krijuar përshtypjen, pasi jo me çdo lloj rritmi shkruhen ndjenjat poetike.
Çdo ndjenjë ka të veçantë jo vetëm frymëmarjen gjatë leximit, por ajo përcillet edhe me rritmin e fshehur muzikor. Në artin poetik parapëlqehet kombinimi midis ndjenjës dhe rritmit, pasi poezia, në konceptin tradicional është këngëzim, është ndjenjë reciproke që krijohet midis krijuesit dhe lexuesit. 
  Nga krijimet që e shprehin këtë lidhje më së mirë në stilistikën ndjesore të Alma Papamihalit, janë disa poezi, që mund të merren si shëmbull, pikërisht poezitë „DËSHIRA TË ZBATHURA“  dhe „KAMBANAT“. Në të dyja këto poezi natyrshëmria e ndjenjës shkrihet me rritmin dhe muzikalitetin e përzgjedhjes së fjalëve tingëlluese.
Jepet i gjallë imazhi lëvizës dhe zbulojmë fillimisht dëshirën e poetes për të qënë e vetmuar një çast, fenomen që ndodh me të gjithë krijuesit, por përzgjedhja e fjalëve për të dhënë këtë çast imtim është sa individual, aq dhe i pa përsëritshëm, pra, 
„Thjesht, të jem e harruar/ bregut, zbathur të shëtis/ të ndihem njëherë e vetmuar. „
 
Mirpo në një çast të tillë, sadopak vetmitar, ku kryhet procesi laboratorik i krijimit, ambjenti i vetmisë, aq i dëshiruar shpesh, kthehet në botë krijimi. Por kjo vetmi e dëshëruar nuk është vetëm për poetin, por për çdo njeri, pasi gjithkush ka nevojë për çaste meditimi në jetën e tij. Këtu qëndron dhe iniversialiteti i këtyre vargjeve dhe me siguri që parapëqehen nga çdo kategori lexuesi. 
 
Me syrin dhe mëndjen e mprehte femërore, Alma di të qëmtojë shqetësimin dallues midis dy karaktereve, të asaj ku ajo personifikon veten dhe, e atij, tjetrit dhe dëshëron fare thjesht që edhe ai të ndjejë njëlloj si ajo, lexues a miku i saj qoftë. 
Kjo është aftësia psikologjike për të komunikuar me lexuesin. 
 
Në përfytyrimin e imazhit përcjellës shpesh herë ndodhin mospërputhje midis poetit dhe lexuesit, mirpo në rastin e pozisë „KAMBANAT“, nuk mbetet vënd për mospërputhje. Këto dy poezi të trajtuara më lart, janë shëmbull tipik i stilistikës së kësaj poeteje.
Tingulli Ding-Dong, që Alma përdor në fund të kësaj poezie, është i njëjtë për veshin e cilitdo dhe krijon atë ndjenjë njerëzore, sepse,
- „Kambanat“, s'bien veç për ata/që në zot besojnë- dhe imazhi poetik zë e formohet qysh në vargjet e para, kur lexuesi përfytyron imazhin dhe atë ndjenjë që është dhimbje universale për njeriun- Pyet veten njëherë/ Ç' emër të vjen ndër mënd - dhe, në fund poezia, „KAMBANAT“ e ka përmbushur qëllimin e saj poetik me dy vargje aq domethënëse- Të rëndat hapa kalimtarësh.../Do art dhe të dish të harrosh.
 
 Pikërisht, do art të dish edhe të harrosh, është një konvencion kërkues i shpirtit të kësaj poeteje, e cila kërkon vërtet një stilistikë poetike ku dhe dallon që ajo është në kërkim të specifikave të botës së brishtë e tejetndjesore të femrës, eksploruese në ritëm dhe muzikalitet në vargjet e saj.
 Duke u përballur si lexues me talentin e Alma Papamihalit, krijon përshtypjen bindëse, se edhe në të ardhmen ajo do të na dhurojë krijime të cilat me siguri do të renditen përkrah emrave të njohur të poetëve shqiptarë.

Alma Papamihali dhe Xhevahir Spahiu

Nata e tingujve të dashurisë
Nga Baki Ymeri

Bota e fëmijërisë së shpirtit është bota e poezisë, ndërsa pasioni për t’iu rikthyer fëmijërisë në moshë të pjekur është bota e shpirtit të hapur. Nostalgjia dhe malli ndaj vendlindjes, dashuria e shprehur në gjuhën e perëndive, natyra shqiptare, vullneti për jetë, jeta e librave, shembujt e shenjtë të rilindësve tanë dhe aftësia për të folur me ëngjëjt, janë disa nga elementet që e bëjnë të pavdekshëm librin e Alma Papamihalit, “Nën Tingujt e Natës” (Tiranë, 2007). Alma shkruan për vlerat e kohës kur qameti bëhet në sekondë, kur koha të shkel nën këmbë po qe se se shndërron në dashuri, edhepse “s´është e thënë të dashurosh sytë,  apo buzëqeshjen” ngase “ka dhe të tillë njerëz në botë, që dashurojnë kohën, më shumë se prekjen”. Dhe megjitahtë jetojmë. Jetojmë, thot Alma, “një natë pa gjumë kur lind një ditë të vdekur, duke e përjetuar edhe ditën pa e prekur.”
Alma shkruan për poetët, “Poetët, ah, poetët ç´njerëz qenkan vallë/ Lindin të dashuruar/ dhe vdesin beqarë.” Dhe shkruan për pasqyrën e shpirtit kur në çdo mur të dhomës ke varur një pasqyrë, ku veten sheh çdo ditë, “
Por të rinohesh/ nuk vlejnë pasqyrat/ që s´depërtojnë në shpirt.”
Alma shkëlqen përmes imagjinatës së saj. Ajo shkruan për moralitetin e jetës dhe gjumin mbi liqenin e mbrëmjes ku shelgjet e shohin vetveten në pasqyrë si dhe hënën duke u zgjuar. “Nëse ende s´ke fjetur fute hënën brenda/ bashkë me të dhe mua.”  Hëna kureshtare sipas kësaj poeteshe të frymëzuar, hapi derën ngadalë, dhe vështron si flije, kërkon të të puthë frymën e ngrohtë, por s’mundi edhepse u shfaq, pa zhurmë si hije.  Pas hënës pason kometa: “Tek bie kometa/ Vështro ulur në tokë/ Ndryshe do verbohesh/ Nga zjarri i qëndisur mbi flokë!” Dhe më tej: “Pasion i përgjumur/ Prek zjarrin me duar/ Ende përvëloka/ Dhe pse kometë e shuar.”
Alma shkruan për ëndërrat që përzjehen me ajrin dhe për fjalët që përzjehen me shikimin, dhe për këtë natë që kërkonte “Gosti në një tryezë të zjarrtë”, dhe për ndjenjat si një lumë i derdhur në buzët e etshme për dashuri. Pse!
Ngase “
Sado të kem vrapuar,/ Si ti nuk gjeta kund./ Të njoh sa s’e mendoja,/ Se shpirti shpirtin njeh/ Kaq ngrohtë jam brenda teje/ Pasionin s’mund ta fsheh” 
Duke cituar Josif Brodskin, Agron Tufa thekson se “Arma e poezisë është kujtesa.
Ajo është e dobishme për të ardhmen, të mos flasim më për të tashmen.
Ajo është e vetmja mbrojtje nga vulgariteti i shpirtit njerëzor”. Bota sentimentale dhe morale e Almës kaplon përmasa të admirimit.
Ajo s’e duron gënjeshtrën, vulgaritetin, cinizmin dhe hipokrizinë. “Kush thote kurrë s’ka gënjyer gënjen/ derisa në një botë të gënjeshtër rron/ Dhe të vërtetën brenda gënjeshtrës e gjen.” Alma ushqehet me gjuhën amtare dhe aromën e saj.
Atdheu i saj është gjuha shqipe, e vetmja që e rilind, madje edhe në mërgim, atje ku s’e harron kurrë natyrën shqiptare që e hedh në varg.
Poezia për poeten Alma Papamihali, është një dashuri e përjetshme që s’mund të vdesë kurrë, siç është edhe dashuria ndaj Atdheut “Një dashuri që nuk njeh plakje,/ Ky malli im për Shqipërinë”.  Ajo e pret me padurim Ditën e Flamurit për ta kremtuar së bashku me nxënësit e saj. Ajo shkruan me pasion për bijtë e Skënderbeut dhe simbolin e Pavarësisë: “Ngjyrose një komb, kuq e zi valëvitur,/ Në ballkon të Vlorës, Pavarsia zbritur.” Dhe vazhdon më tej: “Afron ditë e madhe, fluturo shqiponjë,/ Mbi malet shqiptare, mbi Kosovën tonë,/ Krahët shtrive qiellit, u ndjeve çliruar,/ Të pavdekshëm jemi, veç kështu bashkuar.
As që ka nevojë ta komentojmë më tej këtë libër të bukur, i shkruar nën tingujt e natës, në një gjuhë të bukur, ku shpërthen dashuria ndaj atdheut tonë të bukur, që nga Çamëria, e deri tejmatanë kufinjve të admirimit.




Vështrim interpretues me rastin e promovimit të librit me poezi të Alma Papamihalit "Shtegtim pulëbardhe"

Nga Avni Alija

1.Mistika e Poezisë dhe magjia mrekulluese e Fjalës

Përballja e vazhdueshme me temën e kahmotshme të procedeut krijues, se çfarë në të vërtetë është poezia, do të na tërheq përherë në rrafshin e meditmit dhe refleksioneve filozofike se çfarë në të vërtetë është Fjala si e tillë. Cili është misteri i fjalës?Magjia mrekulluese e fjalës?
Kjo pyetje, për momentin nuk shtrohet në kuptimin e një sprove për të definuar natyrën e njëmendtë të poezisë dhe të fjalës. Se mandej do të pyesnim se çfarë është në të vërtetë enigma e quajtur Jetë. Por kjo pyetje, shtrohet si një tendencë fillestare për t'iu qasur librit me poezi "Shtegtim Pulëbardhe" të poetës sonë nga kryeqyteti gjithëshqiptar nga Tirana e bukur, Alma Papamihali.
Për t'iu afruar me lehtësi librit me poezi që sot përurojmë si në vend të një retrospektive, ne thërrasim nga kujtesa librin pararendës, përmbledhjen poetike të Alma Papamihalit "Nën tingujt e natës" dhe poezinë "Një fjalë...":
Ndonjëherë\ një fjalë e vetme\ të lë pa gjumë\Gjumin të cilin\ e kujtojmë të gjatë\ rrëmbehet lehtë \nga një fjalë e vetme\ dhe e kthen atë\ në viktimë të pafat.(...)
Kjo është një nga nuancat e mistikës së fjalës, mistikë kjo për të cilën filozofi bashkëkohor i Europës, rumuni Andrei Plesu thote se fjala nuk është një fenomen anësor i jetës dhe inteligjencës. Përkundrazi,ajo është burimi i të dyjave, ritmi i tyre,shkurt frymëmarrja vet.
Në rrafshin e jetës njerëzore, vazhdon ai, nuk mund të ketë "jetë pa fjalë " dhe "fjalë pa jetë".
Libri pararendës "Nën tingujt e natës" me tematikën e mbraështruar i ngjan një koleksioni personal mbi fenomenologjinë e jetës. Aty Poetja sikur ka ngrirë brenda fjalëve çaste meditimi mbi ngjarje, situata në kalim, copëza jete nga Atdheu dhe momente nga Mërgimi, ka shkruar për stinët, ditët e netët, për dramacitetin e dashurisë etj.

2.Poezia si nje skulpturë nga ajri

Vlerësimet mbi një tekst poetik, pa dyshim, gjithëherën përmbajnë një notë të fortë të subjektivitetit individual të lexuesit dhe studiuesit.Këto vlerësime janë pikëpamje të formuluara nën vellon e një perspektive krejt subjektive.
Megjithatë, mbasi të kemi lexuar librin "Shtegtim pulëbardhe" ne mund të flasim hapur jo vetëm në kuptimin e vlerësimit të poezive, por në kuptimin e vlerësimit të krijimtarisë letrare të Alma Papamihalit.
Libri ka një hyrje përkushtuese qe sugjestionon, nxitë refleksione, është një gjetje dhe përzgjedhje e përkujdesshme estetike që ka nëpërkaluar nga libri pararendës për t'u shëndrruar në një shenjë dalluese të krijimtarisë letrare të Poetës.
Shenjë dalluese kjo në dimensionin e prekjes së drejtëpërdrejtë të thelbit të një mendimi dhe transponimin artistik të atij mendimi përmes vargut poetik.
"S'doja të të kënaqja ty / me këto poezi / por të rilindja veten/ kur t'i lexoje ti"

E këtillë është edhe poezia e parë "Poetët", një poezi kjo e sendërtuar përmes një gjuhe ekspresive në njërën anë, e njëkohësisht një qasje krejt lirike, një inaugurim impresiv i bartjes artistike të një mesazhi emocional:
„ Poetët…ah…poetët/ ç'njerëz qenkan/ vallë…/Lindin/ të dashuruar/dhe vdesin beqarë."
Kjo poezi përkujton me lehtësi vargjet e poetit Xhevahir Spahiu, një nga poetët më të parapëlqyer të autores, po me këtë temë kur shkruan qysh me 1994 në librin "Ferrparajsa" : "Poetët /ruajnë pronat e tyre:/dhembjen e shenjtë/ dhe dorën i shtrijnë vetëvetes."

Libri "Shtegtim Pulëbardhe" shtron perspektiva diskutimi mbi poezinë dhe poetikën.
Ky është njël libër ku fjalët janë shëndrruar në simbole të kristalizuara të ndjesive dhe refleksioneve meditative të autores. Një libër me poezi lirike ku i gjejmë të mpleksura me një natyrshmëri dhe harmoni të baraspeshuar përmbajtjen dhe formën, romantikën dhe idealën, vrojtimin shqisor, simbolikën dhe konkreten.
Në "Ligjëratë mbi Estetikën" filozofi gjerman Hegel nënvizonte se Poezia është ajo që përbashkon dhe shkrin në një principet e krijimit në Pikturë dhe Muzikë.

3.Legjitimiteti i sprovës interpretuese

Interpretimi i një teksti poetik ndrynë brenda natyrës së vet një lloj utopie tunduese.
A mund të përligjet prova për të interpretuar artin? Kritiku i letërsisë gjermane Walter Müller- Seidler ka shkruar se " Arti është i pashterrshëm.
Nuk mund të ketë interpretim më të përkryer se sa ky lloj interpretimi kaq i kujdesshëm." Interpretimi i një teksti artistik, ngjan me një lloj huazimi të përndritjeve nga perlat.
Ne sikur duam që me atë përndritje të mbushim një hapësirë të sajuar nën diktatin e një koreografie tjetër. Ky është ai momenti kur lexuesi dhe studiuesi kanë për synim aktin sublim të pjesëmarrjes së tërthortë në rilindjen e vargut, rilindjen e poezisë, rilindjen e librit që sapo ka lexuar.
Në përpjekje për të rilind një akt të këtillë sublim unë po risjell këtu vargjet e poezisë së Alma Papmihalit me titull "Humbur":

Humbur

Nuk është rastësi kjo ditë shëndrruar në gri,
Një diell mëngjesi që s'u duk aspak,
Ëndërrës së sotme s'u pa fëmijëri,
Veç gjethe të rëna që shtruan në park.

Një vjeshtë që erdhi më herët se ti,
Një det që përtoi të lëvizë dhe valët,
Vetmuar u ndjeva në verën e ikur,
Në shiun që nisi, më humbën dhe fjalët...

Diskursi ideoartistik i poezisë "Humbur" dëfton qartë konstelacionin meditativ, refleksionet artistike dhe procedeun e kristalizimit të shenjave të shpirtit.
Jemi pra këtu në sferën e filozofisë së kompozicionit.

Alma Papamihali ia ka dalë që të konsolidojë konceptin e vet krijues. Këtë konstatim e mbështet mbarështrimi i preokupimit dhe provokimit krijues dhe qasja e saj si autore.

"Preokupimi dhe provokimi", shkruan poeti, eseisti dhe dramaturgu nga Prishtina, Ag Apolloni, një emër i ri dhe shumë domethënës në letrat e sotme shqipe, " ndërliksen me njëri tjetrin dhe pashmangshëm çojnë kah shkrimi, që është një proces i formësimit literar të ideve preokupuese dhe provokuese".

Momenti mbasi të kemi mbaruar së lexuari librin e Alma Papamihalit "Shtegtim pulëbardhe" na dëfton se, botëkuptimi i secilit prej nesh mbi botën dhe jetën nuk është dhe nuk mund të jetë i plotë. Pikëvështrimi i secilit prej nesh ia del të mbuloj vetëm një detal të jetës.
Duke lexuar me vëmendje dhe përkushtim vargjet e poetes, ne kemi ndërtuar një relacion të ri me artin poetik, me vlerën dhe peshën e krijimtarisë artistike dhe me vetë vlerën fascinuese të ekzistencës sonë njerëzore.
Poetes Alma Papamihali i urojmë shumë suksese në rrugën e saj krijuese.

Puthu me mua, puthu,
dhe nëse s´të quajnë dashuri...
Gjithçka shëmbur më parë do zgjohet ngadalë,
se di cila shije do veshë emrin tënd,
në s´qënke si kushdo, je ëndërr e pafjalë...

"
Pasion" A. Papamihali