ORIANA KURTESHI  - Muzika është jeta ime...

"Kam ende ëndrra në sirtar...ndaj dhe çdo ditë i them vetes...forca, forca..."

Oriana Kurteshi, është ndër sopranot më të reja shqiptare, të suksesshme në botë. Biografia e saj, ështe e lidhur me kanton, që në vitet e  fëmijërisë, në moshën 6 vjeçare, moshë nga e cila nuk iu nda muzikës për asnjë moment deri në ditët e sotme.
Ishte vetem 6 vjeçare kur ajo do të ngjitej në skenën e dikurshme të pallatit të Pionierëve në Tiranë, si pjesmarrëse e dhjetra festivaleve, apo në skenën e festivalit për fëmijë që organizohej në Shkodër. Nuk ishte i rastësishëm edhe roli kryesor i saj, në operetën e parë për fëmijë në Shqipëri - Albi dhe karikaturat. Më pas perfeksionimi i saj do të vazhdojë në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë dhe në institutin e lartë të arteve, po në Tiranë.  
...dhe vetem 17 vjeç, kur interpreton në rolin e Zerlinës, në operën  “Don Giovanni” të Moxartit...dhe Despinën tek “Così fan tutte”, gjithashtu të Moxartit. Më pas ajo vazhdon me studimet e saj në Itali, në institute të ndryshme prestigjioze në drejtim të artit, sic ishin Akademia lirike e Mantoves, me Alessandra Althoff, në Academine Zenobio të Trevisos, në atë Moxart të Salzburgut, apo Richard Wagner të Venecias.
Në 2002 debuton  si interpretuesja më e re, Barbarinën tek Le nozze di Figaro - të Moxartit, ndjekur nga intereptimi i saj në  “Un Ballo in Maschera” të Verdit...Më pas në rolin e Jemmy-t në New York, (të Rossinit) , po në 2002.Ne teatrin  e operas në Genova interpreton "Tebaldon" nga"Don Carlo e Verdit...ndjekur nga Janacek, e "Jenufa" të Bartolettit.  Në 2003-2004 vazhdon me interpretimet e saj në Oscar in Verdi’s “Un ballo in Maschera” në Bologna, Ferrara, Reggio Emilia nën drejtimin e D. Gattit...e më pas në Tel Aviv, me orkestrën filarmonike D. Oren...Në 2005-2006 interpreton mjaft role, ndër të tjera përmendim...ndër të tjera në operan e Pucinit, La Rondine...në teatrin e Verdit në Trieste, në operan e Strasburgut, tek Don Carlo..
Në 2007-2008 interpreton gjithashtu ne shume qytete të njohura evropiane, si ne Fidenza, në Hamburg, nën drejtimin e M. Balko Në 2009-2010 gjendet nën interpretimin recital  të Falstaff, në Bari...gjithashtu  janë edhe mjaft interpretime të nënshkruara, si në Tiranë, Ofenbach etj...

INTERVISTOI -  Alma Papamihali


Jeta juaj është e lidhur tërësisht me kanton...Kjo për vete faktin, që nëse do kthenit koken pas, përveç 5 viteve të para të saj, në çdo ditë të jetës suaj, do gjendesh vetëm në botën e muzikës. Megjithatë, do ishte interesant një përkufizim artisteje, mbi domethënien e muzikës në përgjithësi, dhe të kantos në veçanti...
Ç´përfaqëson ajo në jetën e Orianës...
 
Çdo gjë është e lidhur me muzikën. Jo vetem me ate klasiken, por edhe me musiken e lehtë etj. Për mua fjala Muzikë ka një domethënie shumë të madhe, jo vetëm për faktin sepse merem me të, por sepse është gjëja më e bukur. Me të lidhen shumë gjera...... ndjenjat tona, emocionet, qeshjet , qarjet, lumturitë e njerzve, dhe çdo njeri besoj, nuk mund të rrijë pa të. Unë si natyrë jam shumë e brishtë, por nëpërmjet muzikës dhe kantos në veçanti, kam mësuar të shoh në sy njerëzit...
Përsa i përket kantos, them me bindje se ajo është gjithçka. Është pikërisht kantoja që më bën të sakrifikoj shumë gjëra të tjera në jetë. Unë smund të rri pa të!!!! ...e madhe apo e vogël qoftë karriera artistike. Kanton, e kam dhuratë nga gjyshi im i shtrenjtë...

Rolet tuaja kanë qënë të shumta...por një artist, nuk mendoj që thotë ndonjëherë, "ky ishte perfeksionimi im". Megjithatë ëndrra e tij, eshte paksa e orientuar. A është realizuar deri diku, ëndrra juaj në lidhje me rolet?
 
E di Alma, në këtë profesion kaq të bukur, hapësirat për tu realizuar janë shumë të mëdha, ashtu si dhe ëndrrat, por që duhet punë për ti realizuar. Perfeksioni nuk arrihet kurrë!!!  Gjëja që unë kam mësuar nga gjithë këto vite në fushën e Operas, është studimi i përditshem jo vetëm i të kënduarit, por edhe të anës interpretative, ana e njohjes së veprave, kompoziotorevem etj dhe përsëri them,  kam akoma shumë per të bërë. Një artist nuk eshte kurrë i kënaqur...

Lidhur me pyetjen e sipërme...
Cili ka qënë roli më i dashur për ju, realizuar deri më sot, qe do t´i riktheheshit me dëshirë...

Roli i Susannës në operan "Le nozze di Figaro" di Mozart. Është roli që kam adhuruar që në kohën e shkollës në "Liceun Jordan Misja". Një rol që më përshtatet shumë si nga ana vokale dhe interpretative. Ndihem vërtetë shumë mirë në këtë rol dhe pikërisht, këtu opera dhe aktrimi janë shumë të lidhura me njera tjetrën. Do ti rikthehesha me shumë dëshirë këtij roli...
 


Cilin personazh të parealizuar ende, do donit të përjetonit në skenë...

Në të vërtetë janë disa role, që unë i kam vënë në sirtare për momentin. Duke qënë një soprano lirico-coloraturë, për disa role pjekuria vokale është më e vonshme. P.sh...një ëndërr është roli i Tatianës në operan " Tatiana e Oneghin",por...nëse çdo gjë do të shkojë mirë në karrierën time, është roli që do të afrontoja me shumë dëshirë...
 
Keni nje soprano idhull te nivelin boteror...
 
 Idhulli im? Më falni nëse do ju zhgënjej ...sepse shumica e këngëtareve adhurojne Maria Callas. Është e vëtetë, Tosca e saj është një monument!!!!!!! por gjëja që më pëlqen më shumë te ajo, ishte personaliteti i saj i forte. Ndërsa përsa i përket anës teknike dhe inteligjencës për të përballur rolet me pjekuri dhe moshë është e famshmja Mariella Devia.
Kjo është idhulli im!!!!!!!!!

Talenti juaj është shfaqur që në fëmijëri, edhe në drejtim të teatrit, në rolin kryesor të operetës së parë për fëmijë..."Albi dhe Karikaturat"...(E di këtë, pasi kam qënë gjithashtu pjesë e saj dhe e kujtoj me nostalgji atë pjesë të fëmijerisë ku muzika zinte një rol të rëndesishëm.)  Doja të dal  pikërisht në pyetjen...
Sa  të lidhura janë opera me aktrimin?
 
Njëra nuk mund të qëndrojë pa tjetrën. Shumë artistë e kanë natyrale aktrimin, kurse shumë të tjerëve ju duhet shumë punë. Po ju them vetëm një shembull. Për mua kanë qënë shumë të nevojshme këshillat e regjisorit të famshëm Russ "Stanislavski" në librin e tij mbi aktrimin ku thotë... "Nuk është e nevojshme të qash, por të bësh të tjerët për të qarë, dhe të mund të japësh 200 mundësi të ndryshme emocionesh".
Pra e gjithë kjo, për t´ju treguar rëndësinë dhe lidhjen e ngushtë, që ka opera me aktrimin, sepse nuk mund të shikohet një "Traviata" pa derdhur lotë...!!!!!!!!


Cila është skena e fundit, nga e cila keni marrë duartrokitje dhe me cilin rol?


Unë ndodhem momentalisht në Bari për 2 Recitale, mbas Operas "Falstaff" së Verdit, që kendova më përpara, dhe pikërisht duartrokitjet e fundit i mora  mbrëmë me recitalin e parë. Një impenjim shumë i madh të këndosh vetëm e shoqëruar në Piano, sepse njerëzit presin nga ty më shumë anën Spektakolare dhe anën teknike tënden...
 
Kur e keni shijuar për të fundit herë, publikun shqiptar...

Publikun e mrekullueshëm Shqiptar e kam shijuar për herë të fundit në Ballon e fundit të vitit 2008, e riftuar nga drejtori i TOB Zhani Ciko, dhe është gjithmonë një kënaqësi e papërshkruar të këndosh në vëndin tënd...
 
Nostalgji e Orianës për...

...kujtoj me shumë nostalgji periudhën e fëmijërisë. Është dhe do mbetet periudha më e bukur fëmijëria...Besoj se e mban mend Alma, periudhen tonë në ish- Pallatin e Pionierit... Vërtetë kohrat po ndryshojnë pozitivisht, por disa institucione, bënin mjaft punë me fëmijët dhe preagitjen artistike të tyre...Aty kam marrë mësimet e para...dhe i kujtoj me nostalgji edhe profesorët tanë, Sebastian Guralumi dhe Nestor Kraja...
 
Një moto që ju shoqëron ditëve të jetës...

Një moto që më shoqëron ditëve të jetës, fare thjeshtë..i them vetes...Akoma për momentin kam forcë...forca....
 
Nëse do ta mendonit një ditë që nuk do të ishit këngëtare...në cilën fushë të jetës apo profesion, mund ta imagjinonit veten...Pra keni të tjera preferenca...
 
Do të meresha besoj gjithmonë me muzikë. Ndoshta jo këngëtare...por do të më pelqente të meresha me studimin e kompozitoreve, krijmtarin e tyre dhe periudhat e ndryshme Classicismi, Romanticismi, që i adhuroj e deri në Modernisëm....Por them se do te isha shumë e mirë edhe ne fushën e Bamirësisë. Më pëlqen shumë!!!!
 

Një urim apo dedikim për lexuesin do të ishte....

 
Unë do tju uroja lexuesve një lexim të këndshëm dhe i falenderoj për vlerësimin.

Kur Oriana përgjigjet shkurt...

Stina e preferuar?  - Vera!
Dicka qe smungon ne canten tuaj? -  Cellulari
Shkrimtari i preferuar? - Isabelle Allende, Marc Levi
Kompozitori? - Cajkovski,Beethoven, Strauss
Qyteti qe ju ka lene mbresa?  Praga
Fjala me e bukur per ju? - Te dua

Ju falenderoj për përgjigjet duke ju uruar shumë sukses!



KTHEHU TEK INTERVISTAT