"Kur gjithçkaje i bie rruga nga arti "  

Intervistë me këngëtaren dhe moderatoren e njohur shqiptaro - gjermane, Miriam Cani


Nga
Alma Papamihali

Jeta e Miriamit ka qenë vazhdimisht e lidhur ngushtë me artin. Që në fëmijëri është ndjerë vazhdimisht si në skenë, merr pjesë në konkurse dhe ne pjesë të ndryshme tetatrale, ku mbi të gjitha mund të veçhet Casting Show i vitit 2003 organizuar nga stacioni televiziv gjerman Pro7, ku ajo fiton mes 13000 konkuruesve nje vend ne grupin "PreLuders".

Kënga e saj e parë, "Losing my Religion", u shit që në javën e parë më shumë sesa 660 000 herë. Për albumin e parë si grup, "Girls in the house", fitojnë edhe çmimin Dyfish të artë. Ndërsa në vitin 2005, në bazë të votimit të teleshikuesve fitojnë vendin e parë me 1 000 000 vota për grupin më të mirë. Për vajzën shqiptare e cila erdhi vetëm në moshën 6 vjeçare në Gjermani, jeta u shndërrua në skenë, studio dhe show televizivë. Pothuajse çdo të djelë, ajo do të ishte e ftuar speciale e shume emisioneve televizive, nga orët e të cilave opinioni gjerman, njihej edhe më nga afër me talentin e ri të muzilkës pop, por jo vetëm kaq. Talenti i saj vihet re edhe në moderim dhe aktrim, duke i dhënë hapësirë edhe më të madhe për tu kompletuar si artiste.Gjatë fillimit të vitit të kaluar, Miriam, moderon për çdo javë dy emisione shumë të ndjekura, siç janë ato të Popcharts, si dhe Talentet e reja, ndërsa në anën tjetër ajo nuk i është ndarë për asnjë moment këngës, përkundrazi ajo nëpërmjet saj është afruar edhe më shumë me publikun shqiptar... 


Jeta e Miriamit ka marrë një tjetër drejtim që pas vitit 2003. Sa e vështirë ishte të triumfoje mbi mijëra konkuruese që morën pjesë në casting e Pop Starit dhe çfarë domethënie, pati diçka e tillë në jetën tënde... 

Ishte diçka, që në fillim ishte vetëm një ëndërr për mua dhe e ndiqja nëpërmjet televizorit.

Mbasi e fitova këtë konkurs me 4 vajzat e tjera, më duhej shumë kohë të realizoja se çfarë kam arritur.
Një konkurs shumë i vështirë, mbi të gjitha kur mendon që 15 000 njerëz te tjerë, kanë ardhur për të fituar dhe ti duhet të jesh më mirë se gjithë ata për të ecur përpara.   
Ku jeton Miriam momentalisht dhe sa e lidhur jeni me familjen...


Momentalisht, jetoj me familjen time ne Gjermani, në kryeqytetin e Bajernit, Mynih.Me familjen jam shumë e lidhur. Ata janë gjithçka për mua dhe mbi te gjitha janë krenaria ime. 


Kanë kaluar mbi 5 vjet dhe ju jeni kompletuar edhe më shumë në drejtimin e artit.

Mund të na thoni diçka konkrete mbi angazhimet tuaja...

Momentalisht unë merrem me moderacione. Prezantoj katër emisione në televizione gjermane. Të katërta janë emisione muzike. Para disa muajsh, përfundova një shkollë për redaksion, tek kanali më i madh gjerman "Pro7", ndërsa për në Shqipëri momentalisht jam me Albanin, duke përgatitur projektin tonë të përbashkët, duetin me këngën "Let me die with you".

Së shpejti do dalë edhe videocklipi i  kësaj kënge.  Mbasi të dali në Shqiperi, do perpiqemi të realizojmë diçka me këtë këngë dhe ta prezantojmë atë  edhe në Gjermani, ku shpresojmë të mirëpritet.   
Shqipja juaj është shumë e pastër si në të folur, ashtu edhe në të shkruar. Duke qenë se keni ardhur fare e vogël në Gjermani, si ja keni arritur ta ruani të pastë gjuhën shqipe, këtë pjesë të rëndësishme të jetës tuaj...

Mendoj që kjo është e gjitha merita e familjes time...sidomos e babit :) që na ka detyruar në shtëpi të flasim gjithmonë shqip. 

Çdomethënë për ju, të jesh shqiptare dhe cilat janë lidhjet që mbani me vendlindjen...


Shqipëria është vendlindja ime. Gjëja më e madhe që më lidh me Shqipërinë, janë njerëzit e familjes sime që jetojnë aty. Gjithashtu një vend të rëndësishëm tek unë, ka edhe publiku shqiptar, që më ka mirëpritur, më ka duartrokituar dhe më ka falur shumë dashuri dhe lumturi. Publiku shqiptar, është i mrekullueshëm.



Së fundi është hedhur në treg albumi i fundit i këngëtarit Alban Skënderaj. Kush e ka shkruar tekstin e këngës duet...
Tekstet e albumit janë të shkruara nga vetë Albani. Gjithashtu edhe tekstin e këngës duet, së cilës i presim daljen e videoklipit.

Me sa duket i jeni futur një rruge që nuk ka kthim pas, pasi arti kërkon përkushtim, por shpesh të merr edhe minutat më të çmuara të jetës private, pra të sakrifikosh. A ju pengon ky angazhim të jeni thjesht Miriami, me jetën e saj private, apo gjithçka është tani ndryshe dhe duhet ta akceptoni atë...


Është e vërtetë, që me një profesion të tillë, ngarkohet jeta private... por kur ke në krahë një njeri që ka të njëjtin profesion dhe pasion, çdo gjë është shumë më e bukur :) Kjo zbukurohet edhe më shumë, sidomos kur ke të njëjtin mentalitet, punë dhe ëndrra për të ardhmen. 


Personi me të cilin jeni shumë e lidhur dhe i tregoni gjithçka...


Mendoj që është pikërisht ai njeri, që për mua është çdo njeri në një person...Një shok, një  vëlla, një i dashur...dhe ky është shoku i  jetës time, Albani. 


Hera e fundit që keni qenë në Shqipëri dhe kur do t ju ketë përsëri publiku shqiptar...


Hera fundit që kam qënë në Shqipëri ka qenë në nëntor, në spektaklin  "E dua më shumë Shqiperinë "..Mendoj që do të vi së shpejti për realizimin dhe xhirimin e  klipit të duetit. 


Sa kohë keni që njiheni me Albanin dhe cilat janë projektet tuaja për të ardhmen...


Albanin e njoh tashmë prej dy vitesh. Projekti ynë i së ardhmes si fillim, është dueti i këngës nga albumi i ri. Dëshira për të ardhmen, nëse gjithçka shkon mirë, mbase edhe një album i përbashkët.


Projekte që i përkasin të ardhmes në televizionin gjerman...


Punët me prezantime po më ecin shumë mirë. Mendoj, që tani për tani, do vazhdoj në këtë fushë, pra në televizion. Kam emisionet e mia qe transmetohen rregullisht..mendoj qe reklame me te mire nuk mund te keshe ne nje vend te tille dhe kaq te madh. 



Karriera e "PreLuders" çuditërisht u ndërpre, edhe pse një fenomen i tillë, ndodh sot me të shumtat e grupeve në botë. Ç´bëhet me koleget e tjera të grupit "Pre Luders"...


Vajzat e tjera të grupit, që janë katër, po merren me gjëra të ndryshme. Njëra nga ato është duke bërë një album për tregun gjerman. Një tjetër ka filluar studimet, ndërsa njëra jep vazhdimisht koncerte me një live band. E katërta, është vazhdimisht në Amerikë dhe është duke bërë produksione të reja. 


E mendoni ndonjëherë veten, edhe në moderim në stacionet televizive shqiptare...


Të them te drejten, jo dhe aq. Unë mendoj, që për të prezantuar një emision, duhet të njohësh publikun tënd, duhet të flasësh gjuhën rrjedhshëm, duhet të jesh i informuar për çdo gjë, sidomos për fushën që ti prezanton, por edhe shumë të tjera. Prandaj unë ndihem shumë mirë kështu si është :)

Në Gjermani kam tashmë 19 vjet që jetoj. Muzika është gjë tjetër... Muzikën tënde mund ta prezantosh në të gjithë botën, sepse muzika është muzikë, ndërsa prezantimi, është një kulturë më vete.   

Motoja në jetën e Miriamit...


Fjalë pak dhe punë shumë...
 

Një mesazh për lexuesin shqiptar do të ishte...


Ju falenderoj për suportin tuaj, për faktin që më bëni të ndihem mirë kur jam në Shqipëri, për respektin dhe dashurinë. Shpresoj që do të mbetet kështu gjithmonë.Gjithashtu, dëshiroj të realizoj në Shqipëri dhe shumë, më shumë projekte në të ardhmen. 

KTHEHU TEK INTERVISTAT