Alma Papamihali, është ndër poetet lirike më të dashura të letërsisë së sotme shqipe. Ajo solli në botën poetike, një tjetër frymë, krejtësisht të veçantë, duke trajtuar në përgjithësi ndjenja dhe detaje, që përcjellin jetën e brishtë të femrës.
E lindur në Tiranë, ajo shkollohet gjithashtu në kryeqytet në degën gjuhë-letërsi, pasi përfundon gjimnazin "Ismail Qemali". Prirjet poetike të Almës, u vunë re nga mësuesit e saj, që kur ajo ishte fëmijë, ku do të dallonte gjithnjë e më shumë me krijimet e saj letrare, ndryshe nga moshatarët. E rritur në një familje artëdashëse dhe sidomos adhurues të muzikës, edhe tek ajo si poete, muzika do të luante nje rol mjaft të rëndësishëm në jetën e saj, madje do të ishte për vite me radhë, shoqëruse krahas poezisë, pasi për 8 vite me radhë aktivizimi i saj në Pallatin e Pionierëve të dikurshëm, do influenconin në formimin e saj artistik...duke e ushqyer me dashuri për skenën, tekstet muzikore, këngën...artin në përgjithësi. Aktivizimet e saj letrare, në kohën e gjimnazit do të nisnin kryesisht me poezi të botuara në gazeten "Rinia". Por krahas poezive, një tjetër anë e saj, e do të ishte publicistika, e cila do ta kishte fillesën me shkrime të herëpashershme, në gazetat periodike, "Intervista" dhe "Pasqyra". Pas largimit të saj në Gjermani, në dukje të parë krijimtaria letrare pati një shkëputje të përkohshme, por rikthimi i saj poetik, do të shënohej pikërisht me botimin e librit të parë me poezi...
"Nën tingujt e natës" (2007), i cili u prit mjaft mirë nga lexuesi.
Gjatë kësaj kohe, jeta e saj në emigrim, do të kushtëzonte jo vetem krijimtarinë dhe tematikën poetike, por edhe forcimin e mëtejshëm të bindjes së saj në angazhimin aktiv të ruajtjes së gjuhës shqipe, kryesisht tek brezat e rinj dhe fëmijët e lindur në diasporë, tek të cilët rrezikohej gjymtimi apo humbja e saj. Ndaj me shumë deshire dhe pasion për gjuhën shqipe (përkrahur edhe nga një grup prindërish me banim në Gjermani dhe ndihmën e seksionit të arsimit në qytetin e saj) , ndërmerr nismën e krijimit të shkollës shqipe "Iliria", e cila funksionon që prej shtatorit te vitit 2007. Ndërsa në shkurtin e vitit 2009, krijon gjithashtu edhe shoqatën shqiptare me karakter kulturor-artistik, me të njëjtin emër ("Iliria"), ku dhe emërohet kryetare e aktivitetit të kësaj shoqate. Njëkohësisht, Alma është edhe anëtare e shoqatës së Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve, po në Gjermani, që prej vitit 2007. Dhjetori i vitit 2009, do të shënonte një hap mjaft të rëndësishëm në jetën krijuese të kësaj poeteje, e cila do të kurorëzohet me botimin e vëllimit poetik ,
"Shtegtim pulëbardhe" (Toena, 2009), ku dallon aftësia e saj, për të komunikuar ndryshe me lexuesin dhe nje pjekuri artistike, që ka evluar duke bërë që ajo tashmë të jetë edhe më e formuar në fushën letrare dhe kryesisht atë poetike. Në poezinë e Alma Papamihalit do ti këndohet ndryshe dashurisë, si një dëshmi e ekzistencës dhe mirëqënies humane. Pothuajse e gjithë poezinë e saj, do të frymojë dashuri...dashuri për jetën, për njeriun, për natyrën, të qënit grua...Dashuria do të jetë, një burim i madh frymëzimi dhe do jetë e pranishme pothuajse kudo në vargjet e Almës, dukë dominuar pjesën qëndrore të poezive të saj. Ata do ti këndojnë ndjenjës më të bukur njerëzore kudo dhe kurdo - dhe në u largoftë pakëz - vargjet e saj do ti rikthehen përsëri të përmalluara dhe të drithëruara, duke i dhënë atyre nota edhe më të fuqishme...sepse e tillë është poezia e Almës, një poezi që i këndon edhe detajeve...shpirtit, thirrjes, mallit, ëndërrimit....



Jetoj për të shkruar dhe s´shkruaj për të jetuar,
nëse më parë s´ke dëgjuar, lexomë,
që ekzistojnë dhe të tillë njerëz,
me vargjet dashuruar.


(Alma Papamihali)

Mbi gjithçka që shkrova ,
më domethënëse mbetën
të thënat me një frymë ,
S´më lodhe ndonjëherë moj poezi,
edhe pse moshën s´ma tregove,
ishe ti më e madhe, apo unë...”
Ti imja dëshire

Oh ti, ti imja dëshirë,
anije përmbytur në det humnere
pa lëshuar ende rrënjë nën tokë...
Udhën e sipërfaqes munde të prekësh
dhe të uriturës hënë t´i ngjitesh,
duke u mbajtur të miave flokë...

Oh ti, ti imja dëshirë,
ndriçuar jo si dëshirë e kujtdo
që kur humbet, të zotnë me vete merr!
Pse qënke kaq ndryshe
saqë dhe heshtjen në vullkan pagëzon
dhe oaz dashurie, lindke në terr...

Oh ti, ti imja dëshirë,
me erë vjeshte parfumosur
dhe shijen e së fundit kafshatë...
Këputmë sa herë t´i friksohesh tharjes,
e nën ujitje, gjelbër-ndezur shndërromë
dhe nëse mund të ketë lindur natë...

© Alma Papamihali